Ja se si të Intervistoni Punonjësit dhe të Gjeni Atë të Duhurin

Adam Bornstein, themeluesi i Pen Name Consulting dhe autori me shitjet më të mira të New York Times i përgjigjet pyetjes që një pronar i një biznesi të vogël ka për punësimin. Ja këshilla e tij për ndërmarrësit ambiciozë dhe pronarët e bizneseve të vogla.

Q: Unë udhëheq një biznes të vogël dhe kam nevojë për punonjës që të rritemi. Cila është qasja më e mirë për të sjellur njerëzit e duhur? –Shane, Toronto

A: Shane, forca e ekipit tuaj është forca e biznesit tuaj. Por e kundërta është gjithashtu e vërtetë, punësimi i njerëzve të gabuar mund të shembë biznesin tuaj dhe t’ju shpenzojë shumë para. Kur isha në botën e korporatës, provova të kem një ekip të përsosur. Fokusohesha më së shumti në rezume dhe në arritjet e tyre. Nuk funksionoi mirë. Më vonë, kur fillova biznesin tim, nuk mund të përballoja një ekip të atillë. Ajo më detyroi të fokusohem në pyetjen më të madhe dhe më të ashpër: Çfarë e bën një punonjës të mirë?

Zbulimi i përgjigjes më bëri më të mirë në gjetjen e talentit të duhur. Mësova se, edhe pse titujt e mëparshëm të punës kanë rëndësi, punësimi i mirë ka të bëjë me identifikimin e pasionit. Mund të duket se ju mund të mësoni për dikë vetëm gjatë kohës, por zbulova se bërja e pyetjeve më të mira dhe më specifike gjatë procesit të intervistës mund të bëjë shumë.

Kjo do të thotë se nuk ka më ‘’Pse duhet të të punësojmë’’ ose ‘’Ku e shihni veten pas pesë vitesh?. Në vend të këtyre, bëhuni më personal. Ju tashmë e dini rolin që kandidati dëshiron të mbushë në kompaninë tuaj. Për të fituar njohuri, pyesni se si do të mbushin zbrazëtirën në jetën e tyre. Në punën e tyre të kaluar a kishin ata menaxher të keq dhe nuk kalonin mirë? A mund të adresohet kjo në kompaninë tuaj?

Ju gjithashtu duhet të siguroheni se një punonjës potencial sheh vlerën e të qenit pjesë e kompanisë tuaj. Ajo që ju thonë (‘’E dua kompaninë tuaj’’!) është më pak e rëndësishme se ajo që pyesin. Punonjësit e zgjuar dëshirojnë të dinë se si do të duket suksesi në pozitën e tyre, dhe se çfarë dëshironi që ata t’i shtojnë biznesit. Ata janë të interesuar në rritje dhe në mundësi në të ardhmen. Nëse punonjësi juaj potencial duket i mbyllur, bëni këtë pyetje. Kërkoni shembuj specifikë se çfarë i inspiroi ata që të aplikojnë.

Kjo pyetje do ju ndihmojë të matni se sa mirë e kupton kandidati kompaninë tuaj dhe rolin e tij potencial në të. Ju gjithashtu mund të bëni pyetjen e vështirë për t’i testuar ata. Dev Basu, themeluesi i PoweredbySearch, agjensisë më të shpejtë të marketingut digjital në Toronto( 936 përqind rritje brenda pesë vitesh), pëlqen të pyesë, ‘’Si do na mundje nëse do ishe konkurrenti ynë’’?

Ju gjithashtu duhet të vlerësoni cilësi kyçe si aftësia për t’iu përgjigjur kritikave, shpejtësia e punës dhe stili i komunikimit. Për këto, rekomandoj të krijoni një  test para procesit të intervistës, diçka që i kërkon kandidatit të ndajë opinionin ose ekspertizën e tij. A kërkon aplikuesi më shumë kohë ose nuk përgjigjet me kohë? Këta janë flamuj të kuq. Pastaj, gjatë intervistës, kritikoni ose mos u pajtoni me disa nga përgjigjet e tyre dhe shikoni se si reagojnë. Ky do të jetë një test i rëndësishëm se si do të jeni në gjendje të punoni së bashku, për shkak se konfliktet dhe mospajtimet janë të paevitueshme në çdo vend të punës.

Në fund, kur jeni gati për të bërë një ofertë, përgatituni të mendoni përtej pagës. Ju ndoshta do të keni nevojë të ëmbëlsoni një ofertë me përfitime jo monetare, si pushimet ose  mundësia për të punuar nga shtëpia ndonjëherë. ‘’Punonjësit më të mirë nuk kërkojnë më shumë para’’, thotë Basu. ‘’Ata kërkojnë një ndjenjë të përshtatjes dhe qëllimit’’. Kur ata gjejnë këtë, i bën ata të lumtur. Dhe kur janë të lumtur, ata qëndrojnë.

Adam Bornstein është themeluesi i Pen Name Consulting, një agjensi e marketingut dhe markës, autori me shitjet më të mira i New York Times; dhe krijuesi i ngjarjes two12.

/entrepeneur.com.al