Sa herë që shikohemi në pasqyrë, shohim vetën tonë! Ne mund të ndryshojmë stilin e flokëve, mjekrën, buzëkuqin, por fytyra do të mbetet gjithmonë e njëjta. Shumica nga ne, para se të dalim nga shtëpia kujdesemi që të kemi një prezantim të mirë për ata që do ti takojmë gjatë ditës. Pse e bëjmë këtë? Për tu ndier mirë dhe për tu siguruar se këdo që takojmë për herë të parë, do të krijojë një përshtypje të mirë, ndoshta edhe para se të fillojmë të flasim!
Cv-ja luan rolin e njëjtë! Është pasqyra jonë tek punëdhënësi!
Një Cv e mirë hapë derën për punën e ëndrrave tona. Besoj se nuk do ta rrezikonim këtë për mungesë vëmendje gjatë shkrimit të dokumentit më të rëndësishëm për punësim. Dokument i cili do të sigurojë qëndrueshmëri financiare, siguri në punë por edhe kënaqësi gjatë orëve të punës. Nuk besoj se do të shkonim në një intervistë pune me ushqim në mes të dhëmbëve. Ne, para intervistës do të sigurohemi se paraqitja jonë është profesionale. A nuk do të duhej të ishte e njëjta edhe për CV-në? Realisht, nuk do te duhej të ishte ndryshe. Duhet të siguroheni se i keni kushtuar vëmendjen dhe kohën e duhur shkrimit të CV-së.
CV-ja si dokument i cili paraqet qartë aftësitë, kualifikimet, eksperiencën, të arriturat dhe qëllimet tona, është shumë i rëndësishëm në procesin e aplikimit. Për shumicën nga ne është shpresa e vetme që të sigurojmë punën për të cilën ëndërrojmë. Punëdhënësit i kushtojnë shumë rëndësi se sa mirë është e strukturuar CV-ja jonë. Në të njëjtën kohë, përmbajtja e CV-së duhet të përshtatet për secilën punë që aplikoni. Duhet ti kushtohet shumë vëmendje aftësive dhe eksperiencën që kërkohen nga punëdhënësi.
Duhet të sigurohemi se Cv-ja tregon se jemi më i miri për punën që aplikojmë. Mbani në mend, personi që lexon Cv-në tuaj, para vetës mund ti ketë me qindra Cv tjera. Atij i duhen mesatarisht 20 sekonda për të vendosur nëse jeni i përzgjedhur për intervistë. Dhe, nëse Cv-ja juaj është e paqartë, jo e strukturuar mirë dhe përmban informata jo të rëndësishme për punëdhënësin, ai do të kalojë në aplikacionin tjetër.
Nuk ka një formë të vetme të shkrimit të CV-së, ju mund ta strukturoni atë në mënyrën që ju dëshironi. Por, kur shkruani CV-në tuaj, ju nuk jeni vetëm duke i listuar aftësitë dhe eksperiencën tuaj, ju jeni duke i treguar botës se kush jeni, se cila është vlera që ju do të sjellni dhe pse punëdhënësi duhet të ju punësoj!
Në shkrimin e ardhshëm do të keni mundësi të lexoni: 10 këshilla për një Cv të përkryer!