Pyetje të thjeshta për Bankën

Përkufizimi i fjalës BANKË. Çfarë është një Bankë? Zanafilla e emrit?
Fjala bankë rrjedh prej fjalës italiane “ banco” që d.m.th. tezgë. Bankat kanë lindur në bazë të punëve në lidhje me këmbimin e parasë dhe punëve. Si të tilla kanë kryer detyrën e arkëtimit, të ruajtësit dhe të ndërmjetësuesit, kështu që punët e ndërmjetësuesit, punët depozitare si dhe punët kreditore konsiderohen si funksionet kryesore të bankave. Esenca e kuptimit të bankës është marrja dhe dhënja e kredisë e që paraqet veprimtarinë kryesore të saj. Nga pikëpamje teorike dhe funksionale, punët financiare të bankës rreth krijimit të parave si dhe të ndërmjetësimit financiar janë funksionet themelore të bankës.

Çfarë nevojitet për të hapur një bankë në Shqipëri?
Për tu liçencuar për aktivitet bankar në Shqipëri duhet plotësuar një sërë kriteresh të përcaktuara në rregulloret e Bankës së Shqipërisë, institucioni që është përgjegjës për liçensime të tilla. Këto kritere janë monetare, për të vërtetuar që aplikanti ka kapitalin e nevojshëm për të hapur një Bankë, por edhe teknike, me qëllim që të vërtetojë që aplikanti ka aftësitë/eksperiencën e duhur menaxheriale dhe kapacitetet e nevojshme në burime njerëzore për të ushtruar një aktivitet të tillë.
Nga ana tjetër nuk është sekret që prej disa vitesh, Banka e Shqipërisë nuk pranon ose më saktë nuk favorizon liçencime të reja. Në një farë mënyre ky frenim duket i drejtë në kushtet kur aktualisht ka rreth 16 Banka që operojne në një treg relativisht të vogël, për të cilin nuk ka vend të thuhet se i mungon konkurenca.

Përse bankat private quhen Banka të nivelit të dytë?
Të gjitha bankat në Shqipëri me përjashtim të Bankës Qëndrore, quhen banka të nivelit të dytë. Diferenca nuk është…
kapitali, shtetëror apo privat, por është e lidhur me aktivitetitn dhe qëllimin e një banke. Nga ana tjetër, bankat e nivelit të dytë mund të ndahen në banka tregtare, banka kursimi, banka investimesh etj. Në Shqipëri të gjitha bankat e nivelit të dytë janë banka tregtare, të cilat fitimin kryesor e kanë nga kredidhënia, por edhe nga komisionet për shërbime të ndryshme.

Çfarë varësie kanë me Bankën Qëndrore?
Banka Qëndrore është institucioni mbikëqyrës i bankave të nivelit të dytë, i cili monitoron dhe auditon në mënyrë të detajuar bankat rreth ecursisë së aktivitetit të tyre, por kryen dhe funksione të tjera të lidhura me to, si psh plotësimi i balancave dhe rezervave të likujditetit (një bankë për bankat). BSH është edhe institucioni nëpërmjet të cilit kryhet koordinimi i tranfertave kombëtare në Lek.

Cili është parimi bazë i fitimit për një bankë?
Parimi bazë i fitimit të një banke tregtare është mbledhja e depozitave/fondeve të klientëve për të cilën paguhet një norme e caktuar interesi dhe kredidhënia tek individë apo biznese, me një norme të caktuar interesi. Diferenca midis interesit të kredive dhe interesit të depozitave është fitimi bruto i bankës, nga e cila zbriten shpenzime të tjera. (paga, qeraja, kuptohet dhe fitimi i aksionerëve).
Një burim tjetër të ardhurash jane dhe komisionet për shërbime të ndryshme bankare, si mirëmbajtje llogarie, transferta, pagesa utilitetesh etj. Njëkohësisht në një vend, si Shqiperia ku ka një numër mjaft të madh të transaksioneve në valutë të huaj, një burim i rëndësishëm fitimi janë edhe të ardhurat nga këmbimi valutor.
Nga ana tjetër, disa banka kanë filluar të ofrojnë dhe paketa investimi me aksione për klientët e tyre (banka investimi). Nga ky aktivitet bankat përfitojnë komisionet perkatese.

Produktet kryesore të një banke janë…
Produktet kreditore (kredi, për biznes, kredi konsumatore përfshirë dhe Overdraftet, kredi hipotekore, karta krediti.)
Produkte depozitore (Llogari rrjedhëse, Llogari Kursimi dhe depozita me afat)
Produkte elektronike (karta debiti + krediti ( e përmendur tek pjesa e biznesit)
Shërbime të ndryshme (transferta, pagesa utilitetesh, lëshim vërtetimesh /garancish, etj)
Shërbime ndihmëse (ATM/POS, Online Banking, Mobile Banking)